mercoledì 3 gennaio 2007

Shqiptarët të vendosur drejt BE-së

Marre nga siti Albusa.com
Nuk ka kaluar shumë kohë, kur kreu i BE-së z.Hose Manuel Barroso, deklaroi nga Brukseli se, pas pranimit zyrtar të dy vendeve ballkanike respektivisht, Rumanisë dhe Bullgarisë, në fillimet e 2007-ës, procesi i pranimit me anëtarë të rinj në Bashkimin Europian do të pezullohet deri në një afat të pacaktuar.
Si për të shpjeguar arsyen e kësaj deklarate të papritur, por edhe për të qartësuar publikisht të interesuarit, ai u shpreh se, tani për tani, Bashkimit Europian i duhet të zgjidhë më parë problemet e veta. Sipas tij, zgjidhja e tyre është tepër imediate, mbasi ato përcaktojnë të ardhmen progresive të BE-së. Reagimi politik ndaj kësaj deklarate, ende vazhdon të komentohet dhe sot në median shqiptare në mënyra të ndryshme.
Askush nuk mund të mohojë faktin se, ky deklarim për momentin, injektoi një farë hutimi të bezdizsshëm tek të pranishmit. Kjo nuk u mirëprit as nga njerëzit e thjeshtë që e ndjekin së largu politikën ndërkombëtare, por më tepër, në rangjet e larta të strukturave shtetërore të vendeve ballkanike, veçanërisht në shtete si Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria, të cilat pasi kanë nënshkruar MSA-në, shpresojnë të antarësohen sa më shpejt në BE.

Shprehja e z. Barroso se “do të ketë pezullim me afat të pacaktuar të pranimeve të reja në BE”, i nxiti në vazhdimësi gazetarët të marrin opinionin e politikanëve shqiptarë, lidhur me këtë deklarim, të cilët me zhdërvjelltësi i’u shmangën komenteve direkte.

Nga ana e saj, infosfera shqiptare, në ekranet televizive dhe faqet e gazetave, sipas shkallës së profesionalizmit dhe pavarësisë që ajo mbart, (përgjithësisht kjo e ndarë si me thikë, e djathtë dhe e majtë) u mundua të trajtonte ndikimin e deklaratës nëpërmjet komenteve konjukturiale e pragmatiste. Madje, në ndonjë ekran televiziv u debatua, më fortë se sa duhet, ndaj efektit negativ të saj, pa paraqitur argumenta bindëse.

Ndërsa komentatorët e tjerë, me përvojë (ndonëse prej tyre ka ende të paçliruar plotësisht nga ndikimet), u shfaqën me të ekuilibruar në dhënien e opinionit, në përdorimin e fakteve dhe argumenteve, duke u përpjekur t’i bëjnë një ekspertizë sa më profesionale, deklarimit të zotit Barroso. Prej tyre, kjo deklaratë u cilësua si trysni e fenomenit të “ euroskepticizmit”, i cili shfaqet sa herë që BE-ja kalon situata të ndërlikuara.

Sipas tyre, ky fenomen asnjëherë nuk është sfumuar në historinë e Europës, përkundrazi ai shfaqet periodikisht, çdo 2-3 dekada, në varësi të zhvillimeve politike dhe ekonomike, brenda strukturave të BE-se dhe jashtë saj, në vendet anëtare (këtu duhet të nënkuptojmë shtetet e Europës perëndimore themeluese të BE-së).

Shfaqja e këtij fenomeni është rrjedhojë e zhvillimit të proceseve të ndryshme politike në vendet europiane. Për të fituar kapital, partitë politike me ndikim në opinionin e tyre të brendshëm, hedhin në lojë kartën e bllokimit të nismave nga më të rëndësishmet që ndërmerr Bashkimi Europian, siç janë ato për ristrukturimin e organizmave, në vendimarrjet për çështje të politikës së jashtme me vendet që janë jashtë BE-së apo për miratimin e Kushtetutës së Re Europiane. Në rastin konkret, shembull i qartë janë referendumet e dështuara për miratimin e Kushtetutës së Re Europiane në Francë, Hollandë.

Qëndrime të tilla, në disa vende evropiane-perëndimore, ndodhin periodikisht gjatë përpjekjeve për të siguruar mbështetje politike dhe vota në çdo edicion elektoral të rradhës, për të fituar rotacionin e qeverisjes në këto vende, duke u mbështetur në premtime të ndryshme me tendenca në disa raste nacionalistë e diskriminuese (veçanërisht kur bëhet fjalë për emigracionin).

Nga ana tjetër, rënien e nivelit të jetesës dhe rritjen galopante të papunësisë, ato tentojnë t’ia faturojnë politikave ekonomike defiçitare të BE-së, në aplikimet e nxituara për zgjerimin e saj me vendet e Europës lindore, në menaxhimin joefikas të fondeve financiare, për projekte të ndryshme, në diskordancat e vendimmarrjeve të organizmave e strukturave përbërëse, etj. Por, kjo nuk do të thotë se këto zhvillime përcaktojnë qëndrime politike afatgjata, që gjenerojnë kriza gjithëuropiane dhe mbjellin farën e fenomenit të emërtuar ‘’euroskepticizëm’’.
Pra, mund të themi se, ai i ngjan një ’’virusi’’ të lehtë epidemik të kohës moderne, me origjinë kryesisht europianoperëndimore, për momentin aktual. Gjithashtu, ky fenomen nuk është zbulim i kohëve të fundit. Mjafton të kujtojmë para disa dekadash, përplasjet politike dhe kontraditat tradicionale midis T.P.E-së (Tregu i Përbashkët Europian i 12-shes) dhe Anglisë, të Francës me Gjermaninë, apo Spanjës me Italinë etj, për të dominuar tregjet dhe për të marrë kurorën dhe skeptrin e drejtimit të Europës së Bashkuar.

Në origjinën e tij “euroskepticizmi” ka qenë vazhdimisht prezent në të gjithë etapat e zhvillimit historik të popujve të Europës. Shkaqet për këtë duhen kërkuar jo vetëm në luftëra e kriza politike–ekonomike, por dhe në fatkeqësi natyrore masive, vështirësi që kanë përfshirë vendet e saj në shekuj. Por në kohën e sotme, në kuadrin e një Europe të Bashkuar e moderne, kur regjimet totalitariste të lindjes janë shembur dhe dimensioniet e demokracisë rriten progresivisht, rreziku i “euroskepticizmit” politik, mbetet i lokalizuar në vende e raste të veçanta me efekte joshqetësuese.

Në këtë këndvështrim, mosaprovimi i Kushtetutës së Re Europiane nga disa vende të veçanta, për të qenë realist, mund të konsiderohet vetëm një stanjacion i përkohshëm. Europa ndodhet në fazën e restaurimit të demokracisë dhe të ripërtëritjes të energjive të saja progresiste. Është normale që gjatë këtij procesi të vështire të ketë edhe barriera, të cilat koha ka treguar se janë të kapërcyeshme.

Pra, nuk ja vlen të lëshojmë sirena të “euroskepticizmit”, kur vazhdimisht eurobarometri dhe çka na intereson më tepër ne dhe barometri shqiptar në çdo anketim të bërë rezulton gjithnjë me shkallë pozitive përsa i përket optimizmit. Në fakt, vetë shoqëria e sotme shqiptare postkomuniste, po tregon gjithnjë e më tepër vullnet e vendosmëri për t’u bashkuar me familjen europiane.

Nga kjo pikëpamje, deklaratat dhe vlerësimet pozitive të monitoruesve zyrtare ndërkombëtare për progresin e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe në plotësimin e standarteve, deri tani janë një realitet i pamohueshëm. Por në asnjë rast, ato nuk duhet të merren si pronë e qeverive të rradhës, të cilat së pari janë përgjegjëse për kohën e humbur. Këtë përgjegjësi nuk duhet ta harrojnë sidomos forcat politike kryesore me koalicionet qeveritëse, pavarësisht nga pozicioni aktual, që zënë tani, pozitë apo opozitë.

Gabimet e rënda të politikës (s’është momenti për retrospektivë) mungesa e përgjegjësisë dhe profesionalizmit në drejtimin e shtetit shqiptar në këto 15 vitet e fundit, i ka shkaktuar dëme kolosale kombit (morale e materiale). Ndaj, nuk ka vend për eufori dhe entuziazëm folklorik. Në politikën shqiptare shqetësues mbetet fakti se, ajo ende vuan nga reminishenca të rregjimit monopartiak, të cilat prodhojnë regres e joprogres (konfliktualitet, mikropolitika frenuese konjukturiale, klanore, terren për stimulimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar).

Është fakt se, të gjitha qeverisjet e deritanishme nuk kanë qenë të afta t’i luftojnë këto fenomene negative. Edhe qeveria e sotme ndodhet para një sfide të tillë tepër të rëndësishme. Të përpiqesh të sjellesh risi në politike, do të thotë tu japësh përparësi energjive të reja, jo vetëm brenda kufijve të shtetit, por edhe atyre, që përftohen në shoqëritë me të avancuara demokratike. Pikërisht për këtë ngulmojnë edhe emisarët e organizmave ndërkombëtare e sidomos ata europianë, kur japin vlerësimet e monitorimit për standartet dhe ecurinë e reformave.

Pikësëpari, ata kërkojnë që t’i hapet rruga politikës së re konsensuale, e cila ti përgjigjet sfidave më të rëndësishme të kohës. Mendojmë se në këtë këndvështrim duhen parë vlerësimet e deritanishme.Veç kësaj, të mos harrojmë se Shqipëria ka një shans plus. Ajo, jo vetëm se renditet ndër vendet me popullsi me moshë mesatare më të re, por, ka edhe një faktor tjetër të rëndësishëm të nënvlehtësuar deri tani, nga çdo qeveri shqiptare, emigracionin.

Ai kap 1/3 e numrit të përgjithshëm të popullsisë që aktualisht jeton e integruar në vendet anëtare të BE-së, Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Angli, etj., ( ka ministri integrimi, po për emigracionin a është rezultative struktura që funksionon aktualisht?). Ky fakt, nga politikanët shqiptare deri tani, është shfrytëzuar vetëm për demagogji gjatë fushatave elektorale, si dhe për të fituar kredo politike, në opinionin mbarëshqiptar.

Ata nuk kanë ditur të fokusojnë e të shfrytëzojnë në favor të interesave kombëtare këtë potencial të konsiderueshëm. Sukseset e një numri jo të vogël të bashkëatdhetarëve tanë në fushat e shkencës, letërsisë, artit, sportit etj., në rang europian e botëror, deri tani janë përdorur vetëm si propagandë për interesat politike të çastit, (ndërkohë kur, për këto arritje ka munguar pothuaj fare ndihma dhe organizimi i shtetit shqiptar).

Mendojmë se është urgjente të ndërrojmë konceptin e politikanëve tanë për trajtimin dhe organizimin e potencialit intelektual të emigracionit. Dhe kjo të mos mbetet vetëm në kuadrin e fjalëve, por të veprohet me profesionalizëm dhe efikasitet në dobi të interesave kombëtare. Janë këta shqiptarë, që përcjellin më shpejt se çfarëdo lloj instrumenti politik, optimizmin e nevojshëm pranë familjeve në shtetin Amë se, destinacioni ynë i vetëm mbetet Europa e Bashkuar.

Leksionin më të mirë në këtë drejtim, deri tani e kanë dhënë bashkëkombasit kosovarë, të cilët me patriotizmin e tyre të spikatur, duke vënë mbi të gjitha interesin kombëtar, e kthyen në favor të tyre (atëherë kur duhej domosdoshmërisht) opinionin ndërkombëtar për të bërë realitet sot pragpavarsinë.

Këto cilësi të vyera gjenetike të kombit shqiptar, janë sfidë për çdo qeveri nëse do të dije ti shfrytëzojë për progres. Është koha kur, nuk duhet të presim që vlerat tona kombëtare ti zbulojë Europa por, me mençuri t’ja bëjmë në prezencë asaj. Me siguri që kjo rrugë do të na kompesojë kohën e humbur.

Euro mbyll vitin, në pozita më të forta se dollari dhe leku

Julian Llupo (Gazeta Shekulli)
30-12-2006

Euro ka qenë e pandryshuar ndaj dollarit dhe ka arritur të thyejë për të dytën ditë rresht, nivelin rekord kundrejt jenit të premten, dita e fundit e punës në 2006-ën. Monedha e përbashkët, është mbështetur nga pritjet për vazhdimin e rritjes të normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane. Edhe ndaj monedhës vendëse, lek/euro ka vazhduar që të mbiçmohet duke vazhduar të ketë të njëjtën prirje, si edhe vitet e tjera. Sidoqoftë, disa analistë kanë paralajmëruar për rrezikun e një dobësimi të monedhës evropiane në fillim të vitit të ardhshëm, pasi shumica e lajmeve pozitive për euron, e kanë dhënë efektin e tyre pozitiv në treg. Pritja për rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit në Eurozonë, është mbështetur nga oferta monetare më e lartë seç pritej gjatë nëntorit (shifra të publikuara të premten) dhe nga komentet e anëtarit të Bordit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Yves Mersch, që tha se normat mbeteshin të ulëta në terma historikë. Në kontrast, një seri të dhënash pozitive nga tregu i banesave, besimi i konsumatorëve dhe manifakturës në SHBA, gjatë dy ditëve të kaluara, nuk ka arritur që të dëmtojë pritjet, se ngadalësimi i ekonomisë mund të detyrojë Rezervën Federale që të fillojë uljen e normave